Teknologjia & Grupet në Nevojë

Teknologjia & Grupet në Nevojë

 

Përgjegjësia jonë si kompani e telekomunikacionit celular shtrihet përtej misionit për të ofruar zgjidhje komunikimi. Ne ndjekim modelin e përgjegjësisë sociale të korporatës duke synuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe duke kontribuar në komunitetet ku kryejmë aktivitetin e biznesit.

Telekom Albania është e vetëdijshme për përfitimet që teknologjitë moderne të informacionit dhe komunikimit u sjellin njerëzve në nevojë dhe atyre me paaftësi të ndryshme, ndaj kompania ndërmerr veprime për abonentët dhe mbarë shoqërinë.

Produkte dhe Shërbime Sociale

Shërbimi i dhurimit me anë të kodeve të shkurtuara

Për të mbështetur institucionet dhe organizatat jo-fitimprurëse, Telekom Albania mundëson një kod të shkurtër (prej katër shifrash), të aktivizuar ekskluzivisht për qëllime bamirësie dhe mundëson abonentët e saj që të kontribuojnë për çështjet sociale. Përdoruesi fundor dërgon një SMS me tekst dhe tarifohet për donacionin e tij nga krediti i tij. Në fund të periudhës, paratë i transferohen institucioneve përfituese.

Telefonata emergjence për publikun
Telefonia celulare është mjet praktik dhe mjaft i vlefshëm në raste emergjence. Telekom Albania ofron telefonata falas në situata emergjente, nëpërmjet numrave 127, 128, 129.

Telefonata falas për Institutin Shqiptar të Nxënësve që nuk Shikojnë
Telekom Albania i ka siguruar Institutit Shqiptar të Nxënësve që nuk Shikojnë linja të telefonike Fiks, në mënyrë që personat e Institutit të flasin falas me miqtë dhe familjarët e tyre, të cilët kanë numër Telekom Albania. Në këndin teknologjik të këtij Institucioni janë instaluar katër numra dhe telefona Telekom Albania Fiks, të cilët përdoren nga 90 nxënës dhe mësues.

Mesazhe falas për Institutin Shqiptar të Nxënësve që nuk Dëgjojnë
Telekom Albania u ka dhënë nxënësve dhe personelit të Institutit Shqiptar të Nxënësve që nuk Dëgjojnë karta What’s Up, të cilat përmbajnë mesazhe falas, në mënyrë që ata të flasin me miqtë dhe familjarët e tyre. Sot në këtë Institucion studiojnë 124 nxënës.

Platformë mesazhesh falas për Fshatin e Fëmijëve SOS në Tiranë
Telekom Albania i ka siguruar Fshatit të Fëmijëve SOS në Tiranë një platformë për dërgimin e mesazheve nëpërmjet internetit. Shërbimi është falas.

Tarifa speciale për të verbërit
Kompania ka nënshkruar një marrëveshje të veçantë me Shoqatën Shqiptare të të Verbërve, duke ofruar një reduktim prej 66% të faturës mujore. 1 000 persona përfitojnë nga kjo marrëveshje.

Kontributi Social

Telekom Albania ka marrëdhënie të mira me komunitetet ku kryen aktivitetin. Para instalimit të antenave të reja, zhvillohet dialog me anëtarët e komunitetit përkatës, përfshirë edhe pushtetin vendor.

Vizioni i Telekom Albania synon që të gjithë shqiptarët të kenë akses në të njëjtat komunikime novatore që ofrojnë qendrat teknologjike botërore. Lidhja më e shpejtë dhe më e besueshme në komunitetet rurale dhe rajonale shton aksesin tek shërbimet e arsimit, shëndetit dhe biznesit, si edhe kontribuon për rritje ekonomike. Telekom Albania ofron çmime të ulta për grupet e prekura të shoqërisë.

Telekom Albania zbaton disa programe të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e grupeve shoqërore në nevojë, si dhe të organizatave të cilat i mbështesin. Telekom Albania ka bërë të ditur prej disa vitesh fushat strategjike ku përqendrohen aktivitetet e saj:

- Akses i barabartë në arsimim dhe informim;

- Mundësi të barabarta për grupet në nevojë;

- Mirëqenia dhe zhvillimi i fëmijëve;

- Lehtësimi i pasojave të fatkeqësive natyrore.