Rreziqe të mundshme për fëmijët

Disa rreziqe të mundshme për fëmijët

 

Ekspozimi ndaj materialeve të papërshtatshme

Ekziston rreziku që fëmijët të shohin materiale të papërshtatshme që përfshin ato pornografike, me shfaqje dhune, urrejtje apo që inkurajon aktivitete të rrezikshme apo të paligjshme.

Disa faqe promovojnë këto lloj materialesh. Këto mund të shihen nëpërmjet rrjeteve të ndryshme apo të dërgohen me anë të e-mailit. Materiale të tilla mund të dalin edhe në mënyrë të paqëllimshme, nëpërmjet kërkimit për vende, njerëz apo cështje të ndryshmë. Fëmijët duhet të dinë për teknikat e kërkimit të sigurtë. Prindërit duhet të dinë ku të raportojnë probleme të tilla dhe si të trajtojnë materialin e papërshtatshëm.

 

Rreziku fizik

Ky rrezik lidhet edhe me internetin. Fëmija juaj mund të takojë fizikisht një person i cili në internet hiqet si dikush tjetër. Është e rëndësishme që fëmija të dijë se informacioni personal nuk duhet t`i jepet askujt në internet. Ndodh që pedofilët përdorin dhomat biseduese, apo u dërgojnë mesazhe konfidenciale fëmijëve, për t`i takuar ata më pas.

 

Reklamim i padëshiruar drejt fëmijëve

Komercializimi i internetit është në rritje. Nivel i lartë komercializimi vërehet në faqe të ndryshme, në postën elektronike, marketingun online, madje duke marrë edhe formën e lojërave të bixhozit online. Faqet mashtruese të internetit janë krijuar për t`u vjedhur njerëzve para dhe mundësi. Për shembull, disa faqe interneti që duken sikur u përkasin bankave, u kanë marrë njerëzve të dhëna të kartës së kreditit. Për shkak të natyrës bindëse dhe nxitëse të këtyre faqeve, fëmijët mund të vënë veten apo familjen në rrezik financiar duke dhënë të dhëna të kartave të kreditit të prindërve të tyre. Rregulli bazë në këtë rast është që nëse diçka duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë, me shumë mundësi nuk është e tillë.

 

Ngacmimet apo sharjet

Këto rreziqe mund të merren nëpërmjet shërbimeve të internetit si postë elektronike, dhomat biseduese, faqet e internetit, mesazhet nëpërmjet internetit, etj. Gjithashtu mund të merren edhe nëpërmjet teknologjisë së telefonisë celulare. Këto rreziqe përfshijnë gjithashtu edhe ofendimet, mesazhet e padëshiruara dhe shpifjet.

 

Përdorimi

Disa faqe interneti i shtyjnë njerëzit të plotësojnë forma me informacion për emrin, adresën e e-mailit, gjininë, numrin e telefonit, etj. Duke dhënë këtë informacion online mund të bëheni shënjestër e mesazheve elektronikë të padëshiruar dhe/ose viruseve. Këto mund të jenë edhe kundër ligjeve të privatësisë.

 

Informacioni personal dhe privatësia

Ashtu sic nuk i jepni informacion një personi në rrugë, të njëjtën gjë duhet të bëni edhe në internet. Krijimi i faqeve të internetit mund të jetë një eksperiencë argëtuese dhe edukuese për fëmijët. Megjithatë ekziston rreziku që fëmijët mund të vendosin adresën e shtëpisë dhe të dhëna personale duke përfshirë foto personale të tyre, familjarëve apo fëmijëve të tjerë. Kjo paraqet rrezikun që ky material të përdoret në mënyrë të papërshtatshme. Për më tepër vendosja e adresave të e-mailit të fëmijëve në faqe interneti mund të sjellë marrjen e materialeve të papërshtatshme.

 

Mesazh i pavërtetë

Shumë faqe në internet e shtrembërojnë të vërtetën, mund të jenë mashtrime ose të pasakta. Disa faqe raciste pretendojnë se tregojnë të vërtetën për cështje komplekse sociale, kulturore apo historike në mënyrë që të duken të besueshme dhe bindëse. Këto faqe njihen si shumë aktive në shitjen e produkteve apo rekrutimin e individëve.

 

Spam

Spam është termi që përdoret për mesazhet elektronike të padëshiruara që gjejmë në postën tonë, i dërguar nga individë apo organizata. Mund të përmbajë viruse apo përmbajtje pornografike. Spam po përhapet vazhdimisht dhe përbën një shqetësim për këdo që ka një adresë e-maili. Fëmijët duhet t’i dallojnë dhe fshijnë ato pa i hapur.

 

Viruset

Teksa e-maili është një mënyrë shumë e dobishme komunikimi, rreziqet përfshijnë e-mailet e padëshiruara nga dërgues të panjohur që mund të përmbajnë viruse apo adresa që të dërgojnë në faqe të infektuara me viruse.

 

Komunikimi

Teknologjitë e internetit të tilla si e-mail, dhomat biseduese, forumet, konferencat elektronike apo të tjera janë mjete efektive komunikimi. Pajisjet që mundësojnë internet si celularët, tabletat, etj, mund të përdoren për shkëmbime mesazhesh, fotosh, etj. Megjithatë ekzistojnë disa rreziqe që lidhen me përdorimin e këtyre teknologjive:

  • E-mailet mund të përmbajnë viruse apo mesazhe të padëshiruara;
  • Mesazhet tekst mund të përdoren për të njëjtën arsye;
  • Në dhomat biseduese mund të kemi rreziqe të njëjta. Në disa dhoma biseduese njerëzit mund të vendosin identitete të rreme;
  • Në disa raste fëmijët mund të ekspozohen përballë një rreziku fizik duke takuar dikë që e takojnë në dhomat biseduese

 

Përmbledhje se çfarë duhet të bëjmë për të pasur internet të sigurt

Interneti ofron një numër të madh mundësish për familjen tuaj. Komunikimi i vazhdueshëm, kërkimi i materialeve dhe publikimeve online hap një botë të madhe kërkimore dhe argëtuese për fëmijët e të gjitha moshave. Megjithatë, njësoj si në botën reale ekzistojnë probleme dhe rreziqe të mundshme që lidhen me përdorimin e internetit. Duke krijuar një strategji të internetit të sigurtë mund t`i mbroni fëmijët tuaj kur ata janë online. Ekzistojnë katër mënyra kryesore për ta arritur këtë:

  • edukimi
  • inkurajimi dhe mbështetja
  • bërja e komjuterit të sigurtë
  • mbikqyrja

Përdorimi i të katër mënyrave së bashku do t`ju japë rezultatet më të mira. Qëllimi nuk është vetëm t`i mbrojmë fëmijët por edhe t`i ndihmojmë ata të marrin vendimet e duhura kur ndeshen me situate të rrezikshme online.