Qeverisja e Korporatës

QEVERISJA E KORPORATËS

Organi më i lartë drejtues i Telekom Albania, i cili mban përgjegjësi për marrjen e vendimeve që lidhen me çështje të rëndësishme të kompanisë (në përputhje me ligjin Nr. 9901, datë 14.4.2008, “Mbi tregtarët dhe shoqëritë tregtare”), është Asambleja e Përgjithshme e Aksionerëve.

Bordi Mbikëqyrës ka përgjegjësinë të marrë masa që aktiviteti dhe operacionet e kompanisë të përputhen me legjislacionin. Ai rishikon dhe monitoron situata reale ose të mundshme konflikti interesi. Bordi Mbikëqyrës merr prej Bordit të Drejtorëve njoftime për konflikte interesi apo interes material, reale ose të mundshme, në kompani. Gjithashtu Bordi Mbikëqyrës mbikëqyr aktivitetin e Bordit të Drejtorëve. Bordi Mbikëqyrës përbëhet nga tre anëtarë, të cilët caktohen nga Asambleja e Përgjithshme e Aksionerëve.

Siç përcaktohet në statutin e kompanisë, Bordi i Drejtorëve është përgjegjës dhe përcakton politikat e përgjithshme dhe strategjinë e Telekom Albania, si dhe mbikëqyr manaxhimin operacional dhe veprimtarinë e përgjithshme të kompanisë. Bordi i Drejtorëve përbëhet nga pesë anëtarë me mandat tre vjeçar, të cilët i cakton Bordi Mbikëqyrës. Secili prej tyre mund të rizgjidhet. Bordi i Drejtorëve mblidhet të paktën një herë në tre muaj. Pagat dhe shpërblimet e tjera të anëtarëve të Bordit përcaktohen me vendim të Asamblesë së Përgjithshme.

Drejtori Ekzekutiv mban përgjegjësi parësore për manaxhimin operacional, dhe ai asistohet dhe mbështetet nga Auditi i Brendshëm dhe Zyra e Pajtueshmërisë.