Donacion prej 30 mijë eurosh për pajisje respiratore nga sektori i telekomunikacionit

 

Në një kohë kur sfida me pandeminë vazhdon me rritje të numrit të të infektuarve gjatë ditëve të fundit, kompanitë e telekomunikacionit, Telekom Albania, Vodafone dhe Albtelecom kanë dhuruar për sistemin shëndetësor 40 pajisje respiratore me një vlerë prej 30 mijë eurosh. Këto pajisje janë të nevojshme për situata të problemeve me respirimin, përpara terapisë intensive.

 

E pranishme në ceremoninë për dorëzimin e këtyre pajisjeve ishte zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Znj. Mira Rakacolli, e cila vlerësoi kontributin e dhënë nga sektori privat, konkretisht tregu i telekomunikacionit, në këto ditë të pazakonta për shëndetësinë në Shqipëri: “Ju falënderoj në emër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe gjithë personelit mjekësor, për të gjithë solidaritetin dhe për këtë ndihmë financiare dhe materiale që ofrohen për njerëzit në këto kohë të vështira.” Ajo shtoi se gjetja e këtyre aparateve nuk ka qenë e lehtë në këto kohë ku e gjithë bota u prek nga kjo pandemi. “Ka pasur një kërkesë ndërkombëtare shumë të lartë dhe sfida për sigurimin e këtyre pajisjeve ka qenë padyshim e madhe, duke qenë se edhe transporti ka qenë i kufizuar. Jemi të kënaqur që i kemi në kohë.”- përfundoi znj. Rakacolli.


Përfaqësues të operatorëve celularë thanë se vendosën të solidarizohen, duke treguar përgjegjësinë si kompani private për të kontribuar në këto kohë të vështira të pandemisë së Covid 19. Këto pajisje do t’i shërbejnë gjatë sistemit shëndetësor publik në ndihmë të pacientëve me sëmundje të tjera respiratore, edhe pas kapërcimit të situatës së pandemisë.

 

For the English version click here.